Prezantimi i Udhëzimit për planifikimin, organizimin, realizimin, monitorimin dhe evidentimin e praktikës feriale
Qendra për Arsim profesional dhe Trajnim, më 04.03.2020, në hotelin “Porta” realizoi takim me përfaqësuesit e shkollave të mesme profesionale ShMEK “Gostivar” – Gostivar, ShMK “Drita” – Kërçovë, ShMK “Pero Nakov”- Kumanovë, ShMQSh “Saraj” – Saraj, ShMQSh “Cvetan Dimov” – Shkup, SHMQSh “Shaip Jusufi” – Shkup, SHMQSh “Llazar Tanev” – Shkup, ShETQSh “Mihajllo Pupin” – Shkup, ShMK “Dimitrija Çupovski” – Veles, me qëllim të prezantimit të Udhëzimit për praktikë feriale.
Ky Udhëzim është hartuar nga grupi i punës me përfaqësues të institucioneve relevante të cilët janë palët kryesorë të interesit në arsimin profesional në RMV me mbështetjen e Projektit “Arsim për punësim në Maqedoninë e Veriut” (E4E@ mk). Prezantimin e Udhëzimit e realizuan këshilltarët e QAPT-it në gjuhën maqedonase dhe shqipe.
Përfaqësuesve të shkollave iu prezantuan arsyet për praktikën feriale, dobitë nga praktika feriale, rolin e secilit nga palët e interesuara të përfshirë në këtë proces, mënyrën e planifikimit, organizimit, realizimit, monitorimit dhe evidentimit të praktikës feriale.
Udhëzimi për praktikën feriale paraqet bazë solide për proceset e mëtutjeshme në rritjen e cilësisë së bashkëpunimit të shkollave të mesme profesionale me kompanitë, veçanërisht për zhvillimin sistemor të mësimnxënies nëpërmjet punës, që në të ardhmen duhet të jetë pjesë përbërëse e çdo kualifikimi në arsimin profesional formal.
Nga ana e pjesëmarrësve të shkollave të mesme profesionale u parashtruan pyetje, si për shembull , si është e rregulluar financimi i koordinatorëve dhe mentorëve, si të zhvillohet praktika feriale në vendbanimet më të vogla ku mungojnë kompanitë dhe si është e rregulluar pjesa me pronarët, respektivisht a do t’i punësojnë kuadrot që dalin, etj.
Këshilltarët e QAPT-it i informuan të pranishmit se të gjitha çështjet janë të absolvuara në Udhëzim, gjithashtu i informuan se në çdo kohë janë të mirëseardhur në Qendrën për Arsim Profesional dhe Trajnim për konsultime.